Basketbollistja 16 vjeçare, Astera Tuhina është shprehur e lumtur që do të jetë pjesë e Kosovës A. Ajo gjithashtu është pjesë e Kosovës U20 te femrat dhe do të luajë në dy turne brenda pak ditëve.
“Është një ndjenjë shumë e mirë të jesh pjesë e Kosovës A. Vetë fakti që jam 16 vjeçare tregon se çfarë emocioni është të jesh pjesë e Kosovës A”, është shprehur Tuhina për faqen zyrtare të FBK-së.
Astera është pjesë e klubit spanjoll Club Deportivo Promete, derisa ka folur edhe për rrjedhën e përgatitjeve dhe synimet me Kosovën A. “Ne jemi duke u përgatitur dy herë në ditë në mënyrë që të kemi një përfaqësim sa më të mirë, pasi kjo është hera e parë që garojmë me Kosovën A”, shtoi tutje basketbollistja e talentuar.
Kosova A do të debutojë në garat ndërkombëtare në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Qipro nga 20 deri më 25 Korrik. Kosova është në grup me Luksemburgun dhe Qipron.
Përveç kësaj, Astera është edhe pjesë e Kosovës U20. “Fillimisht do të garojmë me Kosovën U20, ku shpresoj në rezultate të mira”, u shpreh Astera Tuhina.
Kosova U20 (F) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 Women's European Challengers, që do të organizohet në Shkup prej 13 deri më 18 Korrik 2021. Kosova do të luajë në grup me Rumaninë, Sllovakinë, Luksemburgun dhe Maqedoninë e Veriut.