Kosova A (F) ka pësuar humbje nga Irlanda 86:72 (18:26, 17:15, 19:14, 32:17), në kuadër të Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla. Kjo është hera e parë që Kosova A luan në gara ndërkombëtare.
Kosova e nisi ndeshjen më mirë, duke qenë në epërsi konstante në periudhën e parë, me epërsi 9:17 e më pas 14:24, derisa këtë pjesë e fiton 18:26. Kosova vazhdoi me lojë të mirë, duke ngritur epërsinë sërish në dhjetë pikë, 19:29 dhe më pas krijuan epërsinë më të lartë në ndeshje 26:37, por Irlanda me shtatë pikë radhazi ngushton shifrat në 34:37, kurse pjesa e parë përfundon 35:41.
Lojë shumë interesante dhe me kthesa u zhvillua në çerekun e tretë, ku vashat e Kosovës sërish shkëputen në 38:45, e më pas edhe në 46:53, por në fund të kësaj pjese Irlanda me dy treshe radhazi ngushton shifrat në 54:55, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Lojë e barabartë u zhvillua deri në tre minutat e fundit, pranë rezultatit 71:72, ku vajzat nga Irlanda hyn në një seri prej 15:0, falë edhe efikasitetit të lartë për tre pikë dhe në fund fiton 86:72. Pavarësisht humbjes vashat e Kosovës dhanë maksimumin dhe luftuan deri në fund.
Te Kosova u dalluan Saranda Daci me 18 pikë e 10 kërcime, Alexis Tolefree me 16 pikë e gjashtë kërcime, Era Shatri me 11 pikë, katër kërcime e tre asistime dhe Arbnore Përquku me nëntë pikë e nëntë asistime.
Kosova të dielën luan për vendin e tretë me humbësin e ndeshjes Luksemburgu-Malta.