Skuadra e njohur greke, Olympiacos ka njoftuar se ka nënshkruar me basketbollisten e natyralizuar të Kosovës, Alexis Tolefree. “Organizatorja 23 vjeçare ka nënshkruar kontratën dhe është pjesë e klubit”, thuhet në njoftim.
“Jam e ngazëllyer që do të vij dhe do të luaj në Olympiakos. Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën time, i cili do të më zhvillojë mua jo vetëm si atlete, por edhe si person. Qëllimet e mia për sezonin e ri janë të ndihmoj ekipin, duke iu përgjigjur rolit që do të kem. Pres me padurim fillimin e një sezoni fantastik”, është shprehur ndër të tjera Tolefree për faqen zyrtare të klubit grek.
Ajo së fundi ishte pjesë e Kosovës A në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që u mbajt në Qipro, duke hyrë edhe në ekipin më të mirë të turneut, si dhe ishte shënuesja më e mirë në këtë Kampionat.
Tolefree kaloi në Greqi nga Prishtina, ku ndihmoi skuadrën prishtinase të fitojë Kupën, duke u zgjedhur MVP e Kupës.