Më 4 dhe 5 Tetor në Pejë do të zhvillohet Superkupa e Femrave. Në gjysmëfinale përballen Penza-Vëllaznimi dhe Prishtina-Bashkimi.
Edicionin e kaluar, Superkupën e fitoi skuadra e Bashkimit dhe do të mundohet ta përsërit këtë sukses. Basketbollistja e Bashkimit, Irma Konjusha, ka folur për synimet. “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë deri më tani me trajnerin e ri. Kemi bërë disa ndryshime të mëdha në ekip, përforcime të rëndësishme, qofshin ato vendore dhe të huaja dhe mund të them që jemi kompletuar si ekip dhe jemi gati për edicionin e ri. Natyrisht, synimet janë që të luftojmë për trofe, por mbi të gjitha të kemi paraqitje të mira si ekip. Mendoj, se jemi gati për turneun e Superkupës dhe duam të kemi një fillim të mirë”, është shprehur Konjusha për faqen zyrtare të FBK-së.
Ajo flet edhe për përballjen ndaj ish-skuadrës së saj. “Natyrisht, nuk do të jetë lehtë sepse respektojmë të gjitha skuadrat tjera. Sigurisht, synim mbetet trofeu i Superkupës për ta nisur edicionin e ri me këmbë të mbarë, por mbetet të shihet. Më e rëndësishmja është se të gjitha ekipet janë përforcuar dhe na pret një edicion interesant, jo vetëm në kampionatin tonë, por edhe me pjesëmarrjen në Ligën Unike”, theksoi tutje Konjusha.
Sfida Prishtina-Bashkimi zhvillohet më 4 Tetor nga ora 19:00, ndërsa finalja zhvillohet më 5 Tetor nga ora 19:00.
Të gjitha ndeshjet transmetohen ekskluzivisht në Art Motion dhe Kujtesa.