Viti 2021 nuk ka qenë aspak i lehtë, ku vështirësitë më të mëdha erdhën nga pandemia me Covid 19, që po vazhdon të jetë e pranishme në mbarë globin. Kjo ka ndikuar në sport dhe basketbollin e Kosovës. Me kufizime të tifozëve, me masa në palestra dhe me pengesa në të ardhura.
Sidoqoftë, viti 2021 nuk ka kaluar pa suksese. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka folur për vitin 2021 në basketbollin e Kosovës. “Ka qenë një vit sfidues për të gjithë ne, pasi i tërë viti është karakterizuar me pandeminë e Covid dhe kjo sigurisht se ka pasur impakt edhe tek ne. Vinim nga një vit shumë i vështirë, ku pa dëshirën tonë është dashur t’i ndërprejmë garat dhe kemi pasur një kalendar shumë të ngjeshur, me shumë aktivitete, por mendoj se ia kemi dalur me shumë sukses”, është shprehur Fetahu për faqen zyrtare të FBK-së.
Një sukses që nuk harrohet lehtë, është fillimi i Qendrës Nacionale të Basketbollit. “Kjo është hera e parë që formohet një Qendër e tillë në vendin tonë. Jemi të lumtur që është e para dhe e vetmja. Kemi punuar shumë që ky projekt të jetësohet. Projekti është 4 vjeçar dhe synojmë të nxjerrim shumë talente për Kombëtaret e Kosovës. Ky është qëllimi primar, por edhe të investojmë në formësimin dhe edukimin e rinisë sonë”, shtoi tutje i pari i basketbollit të Kosovës.
Sidoqoftë, nuk munguan as sukseset në garat ndërkombëtare. “Këtë vit për herë të parë kemi marrë pjesë me Kosovën A në konkurrencën e femrave, ku garuam në Qipro (Kampionati Evropian për Shtete të Vogla) dhe në debutim fituam medaljen e bronztë. Pasi është hera e parë që marrim pjesë, sigurisht se, duhet të jemi të kënaqur, për të synuar më shumë suksese në vitet e ardhshme.
Te sukseset nuk mund të mos përmendim gjeneratat e reja, ku U18 te meshkujt triumfoi në Tiranë, duke u stolisur me medaljen e artë, ndërsa U16 te meshkujt triumfoi në Prishtinë, në një organizim jo të lehtë për shkak të kufizimeve me protokollet e pandemisë, por të suksesshëm. Basketbollistët e rinj prezantuan me sukses Kosovën, madje me 7-8 lojtarë në ekip arritën të fitojnë Challenger për U16, ndërsa kemi fituar të drejtën që të organizojmë edhe vitin e ardhshëm.
Ajka për fund ishte fitorja ndaj Danimarkës, në festën e 28 Nëntorit, ndaj një kundërshtari shumë të fortë dhe me traditë në basketbollin evropian, që në jep shpresë për një rrugëtim të suksesshëm në parakualifikimet e FIBA Eurobasket 2025”.
Organizimi i garave evropiane në Prishtinë nuk ishte i lehtë. “Kemi qenë organizator të ‘Bubble’ në muajin shkurt, ku morën pjesë edhe Sllovakia, Islanda dhe Luksemburgu. Pastaj ishte FIBA Challenger U16 për meshkuj gjatë verës, ku numrat me Covid 19 në Kosovë prekën kulmin dhe ndeshja ndaj Danimarkës. Tashmë kemi krijuar përvojë për gara ndërkombëtare dhe sigurisht se në të ardhmen synojmë tjera organizime”, nënvizoi Fetahu.
Për FBK-në, garat vendore mbesin primare. “Në garat vendore synojmë të ngritim cilësinë në dy konkurrencat, por edhe masivizimin. Organizojmë gara në të gjitha nivelet dhe puna nuk ndalet asnjëherë. Garat e Kupës dhe Superkupës, vetëm sa shtuan rivalitetin, por edhe shikueshmërinë e konkurrencën. Synojmë t’i servojmë publikut gjërat e mira nga basketbolli i Kosovës dhe për këtë nuk ka munguar ndihma as e partnerëve tanë”, deklaroi kryetari i FBK-së.
Liga Unike ka filluar edhe në konkurrencën e femrave, kurse në muajin Tetor, u organizua Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat. “Superkupa Mbarëkombëtare u organizua për herë të parë dhe i përgëzoj organizatorët për punë të madhe dhe sfiduese. Ëndrra jonë që ka filluar më 10 Shtator 2020 nuk do të ndalet. Tashmë kemi dy Liga që funksionojnë normalisht dhe gara interesante në parket”.
Për fund, Fetahu falënderoi të gjithë kontributdhënësit në basketboll. “Dua t’i falënderoj sponsorët tanë për ndihmën e madhe që japin për basketbollin e Kosovës. Ndihma e tyre është jetike për ne. Falënderoj po ashtu klubet, trajnerët, lojtarët dhe veçanërisht mediat, të cilët punojnë dhe angazhohen për avancimin e basketbollit të Kosovës. Ky vit që po e lëmë pas i ka kaluar të gjitha pritshmëritë që kemi pasur para fillimit të tij. I kemi tejkaluar pothuajse të gjithë parametrat dhe indikatorët e suksesit sipas planit tonë strategjik dhe kjo është meritë e të gjithë kontribuuesve të lartëpërmendur. Më shumë se kaq nuk do të mund të kërkoja për një vit që filloi e mbaroi nën kushte të pandemisë”, përfundoi Arben Fetahu duke i shprehur tërë komunitetit sportiv të vendit dëshirat dhe urimet e tij për shumë shëndet, mbarësi, fat e suksese në vitin 2022.