Trepça pas dy vazhdimeve mundi Pejën

Trepça pas dy vazhdimeve mundi Pejën

12/05/2022

 

Në njërën nga ndeshjet më të jashtëzakonshme të vitit, Trepça ka mundur Pejën pas dy vazhdimeve me rezultat 107:105 (21:22, 25:15, 13:14, 25:33, 23:21). Mitrovicasit tani avancojnë 2:0 në serinë gjysmëfinale, kurse ndeshja e radhës zhvillohet në Pejë. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.

Takimi është zhvilluar në një atmosferë të zjarrtë në ‘Minatori’ dhe dramatik deri në sekondën e fundit, duke e bërë njërën nga përballjet më interesante të vitit.  

Sfida ishte interesante nga fillimi, që ishte i barabartë, por më pas pejanët arritën të krijojnë epërsi deri në tetë pikë, 13:21, megjithatë, vendasit nuk dorëzohen dhe ngushtojnë shifrat në 21:22, sa përfundoi çereku i parë. Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë dhe në periudhën e dytë ishin gjithnjë në epërsi, ku në fund shkëputen dhe shkuan në pushim me shifrat 46:37.

Basketbollistët mitrovicas krijuan epërsi deri në 12 pikë, 54:42, por verdhezinjtë nuk kishin ardhur me flamur të bardhë dhe dalëngadalë afrojnë rezultatin, ku pas 30 minutash ishte 59:51. Dhjetë minutat e fundit ishin të jashtëzakonshëm. Mysafirët nuk ndalën dhe arrijnë të kalojnë në epërsi 66:67, kurse vendasit shënojnë pesë pikë radhazi. Kjo bëri që zhvillohej një sfidë dramatike, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, ndërsa për ‘Xehetarët’ në çerekun e fundit me pesë gabime personale u larguan Amin Hot, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi dhe Taurus Cockflied. Peja ishte e qetë në fund dhe kishte tri pikë epërsi 81:84, por në sekondën e fundit Mike Edwards shënon për 84:84, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime. Edhe në vazhdime u zhvillua lojë interesante e barabartë, ku asnjëra nuk arrinte shkëputjen. Trepça kishte rastin të fitonte, por këtë ia mohoi Dardan Berisha me gjuajtjen nga tri pikë, shtatë sekonda nga fundi, duke barazuar rezultatin në 95:95, duke shkuar në vazhdimin e dytë.

Po ashtu në vazhdimin e dytë përballja ishte e zjarrtë. Mitrovicasit bazoheshin në Rodney Purvis, i cili ishte i jashtëzakonshëm, siç ishin Courtney Fells dhe Berisha te Peja. Pikërish Purvis shënoi trepikëshin vendimtar, ndërsa në aksionin e fundit, Albin Berisha nuk ishte i saktë për tri pikë dhe Trepça shënoi fitore 107:105.

Te Trepça u dalluan Purvis me 36 pikë, tetë kërcime e pesë asistime dhe Andrew Gordon me 22 pikë e 12 kërcime, kurse te Peja u dalluan Berisha me 39 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime dhe Fells me 30 pikë e katër kërcime.

Supported by

Official General Sponsor of the Kosovo National Teams

Official General Sponsor of the Men's Superliga

Official Statistics Sponsor

Golden Sponsors

Silver Sponsors

Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation

Youth Basketball Supporters