Më 1 Tetor (nesër) do të mbahet Kuvendi Statutar i FBK-së nga ora 11:00 në Hotel “Garden” në Prishtinë.
Më 31 Korrik 2022 të gjitha Federatave Sportive në vendin tonë iu ka skaduar licenca e lëshuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës (MKRS) dhe me këtë rast MKRS e ka hapur procesin e ri-licencimit të Federatave Sportive në vendin tonë, dhe nëpërmjet Federatave edhe licencimin e Klubeve anëtare të po këtyre federatave.
Në kuadër të ri-licencimit të Federatave Sportive, Federata e Basketbollit e Kosovës sipas Udhëzimit Administrativ, të MKRS-së do të organizojë Kuvendin Statutar për tu miratuar Propozim Ndryshimet Statutare nga delegatët/et e Kuvendit të FBK-së.
Kuvendi i FBK-së numëron 40 delegatë/e, ndërsa Konform Nenit 16 të Statutit të FBK-së pika 2: “Kuvendi mund të bie vendime në qoftë se janë të pranishëm më shumë se gjysma e delegatëve të Kuvendit. Vendimet konsiderohen të miratuara nëse për to kanë votuar më shumë se gjysma e delegatëve të pranishëm në mbledhje. Përjashtimisht kësaj dispozite, ndryshimi i këtij Statuti dhe vendimi për pushimin e veprimtarisë së Federatës do të bëhet nga 2/3 e delegatëve të Kuvendit. Votimi në Kuvend është publik, përveç nëse Kuvendi vendos ndryshe”.
Me këtë rast FBK kërkon nga delegatët/et e Kuvendit të jenë të pranishëm në Kuvendin Statutar më 1 Tetor, në mënyrë që më pas të vazhdojmë me procedurat e përbashkëta FBK – Klube për ri-licencim në MKRS.