Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës po organizon Tryezën e Tretë të Sportit. Kjo tryezë ka për qëllim koordinimin dhe bashkërendimin e politikave dhe aktiviteteve sportive në gjithë sektorin e sportit.
Ndër të tjera po diskutohet Draft Strategjia Shtetërore për Zhvillimin e Sportit, procesi i licencimit të federatave sportive, hartimi i ligjeve të reja në sport dhe tema të tjera.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku në pikën e prezantuar nga zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani "Hartimi i Ligjeve të Reja" ka theksuar se, FBK është e gatshme për të kontribuar në ndryshimin/përditësimin e kornizës ligjore sportive: "FBK e mirëpret hartimin e ligjeve të reja, si dhe përditësimin apo ndryshimin e ligjeve aktuale dhe në të njëjtën kohë e shprehim gatishmërinë për të kontribuar në grupet punuese me ekspertizën tonë. Ne si FBK e përgëzojmë këtë iniciativë për ndryshimet në kornizë ligjore të sportit, të cilat janë vlerësuar si shumë të domosdoshme në këtë fazë si komunitet i sportit që jemi".
Në vazhdim Dushku ka theksuar rëndësinë e procesit të licencimit të Federatave Sportive dhe organizatave sportive nga MKRS: "Për ne si FBK ka qenë shumë i mirëseardhur procesi i licencimit, sepse ky proces përveçse e ndihmon Federatën e Basketbollit të Kosovës në rrugën drejt Qeverisjes së Mirë, i ndihmon në të njëjtën kohë edhe klubet tona që të organizohen dhe mobilizohen në këtë rrugëtim së bashku me neve. Ky proces i licencimit na ka ndihmuar edhe në licencimin e brendshëm që e kemi ne si FBK, të cilin proces e kemi filluar tash e dy vite dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë në të gjitha ligat tona, gjithnjë duke punuar në drejtim të fuqizimit të klubeve tona, që janë grupet më të rëndësishme të interesit për Federatën. Pra, qëllimi kryesor i FBK-së është zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve tona".