15/06/2023 FBK

Kosova e gatshme për eventet presigjioze të FIBA 3x3

Në organizim të klubit 3x3 Prishtina sot është mbajtur konferenca për media kushtuar eventit madhështor të basketbollit 3x3, FIBA 3x3 Women’s Series&FIBA 3x3 Challenger Prishtina, si dhe organizimit të FIBA 3x3 U23 Nations League nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). a

Konferenca është mbajtur në ambientet e “The Mayfair” në Prishtinë, ndërsa i pranishëm në konferencë ishte edhe numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu së bashku me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës (MKRS), Hajrulla Ceku, Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nikoqirin, Fisnik Juniku nga klubi 3x3 Prishtina, si dhe basketbollisten e Kosova 3x3, Agnesa Rrahmani.

Fjalën hyrëse në konferencë e mori Fisnik Juniku nga klubi 3x3 Prishtina, njëherësh organizatori i FIBA 3x3 Women’s Series&FIBA 3x3 Challenger Prishtina, i cili shpalosi detajet e këtij eventi që do të mbahet në Prishtinë prej 14 deri më 16 korrik. Juniku ftoi të gjithë adhuruesit e basketbollit dhe basketbollit 3x3 që ti bashkohen këtij eventi, ku sipas tij premtohet spektakël, por edhe ndeshje të nivelit të lartë të basketbollit 3x3, si në konkurrëncën e meshkujve ashtu edhe në atë të femrave.

Më pas fjalën e mori Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport i Kosovës, Hajrulla Ceku, i cili falënderoi klubin 3x3 Prishtinë për entuziazmin dhe energjinë e madhe për organizimin e këtij eventi, si dhe Komunën e Prishtinës, e në vecanti Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku sipas tij janë në fazën e hartimit të një projekti madhor për zhvillimin e basketbollit në përgjithësi, në një fazë gjashtë vjecare, ku pjesë e këtij zhvillimi është edhe basketbolli 3x3 në nivel profesional, por edhe në nivel të shkollave: “Federata e Basketbollit e Kosovës është duke e bërë një punë shumë të mirë në zhvillimin e basketbollit në vendin tonë e më gjerë, dhe për këtë arsye ne si MKRS jemi të interesuar të nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi disavjecar me FBK-në për zhvillimin e basketbollit në disa sfera, e ku këtu zë vend edhe basketbolli 3x3. Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm dhe besojmë shumë se me nënshkrimin e këtij memorandumi të një projekti disavjecar do të arrijmë të bëjmë gjëra edhe më të mëdha në basketboll, por edhe në sport në përgjithësi”.

Ndërkohë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh i lumtur me punën që po bëhet për zhvillimin e basketbollit 3x3 dhe të sportit në përgjithësi, dhe ai premtoi përkrahje të madhe për klubin 3x3 Prishtina, për eventet e muajit korrik, për basketbollin dhe sportin në përgjithësi. Ai u zotua edhe një herë se do të qëndroj përkrah sportit dhe sportistëve.

Numri një i FBK-së, Arben Fetahu tha se është shumë i kënaqur me gjithë këtë përkrahje që e ka dhe do të vazhdoj ta ketë basketbolli dhe basketbolli 3x3. Ai u shpreh shumë i lumtur që prej 10 deri më 12 korrik në Prishtinë nga FBK do të organizohet për herë të parë FIBA 3x3 U23 Nations League, ku Kosova për herë të parë do të merr pjesë me dy ekipe, meshkuj e femra, si dhe më pas i vije radha ajkës së 3x3, e që është FIBA 3x3 Women’s Series&FIBA 3x3 Challenger Prishtina. “Jemi duke e bërë një punë shumë të madhe në zhvillimin e lojës së 3x3 dhe kjo falë të të gjitha grupeve të interesit, e në vecanti Ministrisë së Sportit, e cila na ka përkrahur tashmë me projektin e 3x3 në shkolla publike të cilin do ta fillojmë ta zbatojmë në muajin shtator në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor. Por ne nuk do të ndalemi me kaq, pasiqë sic e theksoi edhe Ministri jemi afër nënshkrimit të një bashkëpunimi disa vjecar me Ministrinë, në këtë rast Qeverinë, për zhvillimin e basketbollit në nivel shtetëror. Punë të tilla si këto ne na motivojnë të punojmë cdo herë e më shumë. Jemi të gatshëm për të gjitha sfidat që na presin këtë verë e më tutje”.

Në vazhdim fjalën e mori, basketbollistja Agnesa Rrahmani, e cila do ta përfaqësoj Kosovën 3x3 në FIBA 3x3 Women’s Series: “Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në garën më të fortë dhe më prestigjioze të basketbollit 3x3 për femra në rruzullin tokësor. Ne jemi të nderuara që do ta përfaqësojmë vendin tonë, premtojmë që do ta bëjmë më të mirën dhe do ti kënaqim adhuruesit tanë me basketboll cilësor. Do të luajmë kundër ekipeve më të forta në botë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për ne kjo do të jetë një përvojë e mirëseardhur për të ardhmen në basketbollin 3x3”.

Në konferencë është lansuar edhe zyrtarisht fanella unike e eventit, si dhe detaje të tjera shtesë rreth këtij eventi madhështor.

FIBA 3x3 Women’s Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina do të organizohet prej 14 deri më 16 korrik në Prishtinë.

Duhet theksuar se vitin e kaluar klubi 3x3 Prishtina në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Kosovës, Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës për herë të parë e patën organizuar eventin FIBA 3x3 Challenger Prishtina për të cilin kishin marr lëvdata nga të gjithë pjesëmarrësit, por edhe nga Sekretari Gjeneral i FIBA-s, Andreas Zagklis, i cili gjatë vizitës së tij në muajin tetor 2022 në Kosovë ndër të tjera e kishte përmendur edhe organizimin super spektakël të FIBA 3x3 Challenger Prishtina.

FIBA 3x3 Women’s Series është ngjarja numër një në basketbollin profesionist të 3x3 në konkurrencën e femrave. Edicioni fillon në maj dhe përfundon në shtator.

14 shtete do të marrin pjesë në FIBA Women’s Series që do të organizohet në Prishtinë: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2 ekipe), Holada, Lituania, Hungaria, Letonia, Azerbejxhani (2 ekipe), Izraeli, Ukraina, Turqia, Kosova dhe Gjermania. 

FIBA 3x3 U23 Nations League do të organizohet nga FBK prej 10 deri më 12 korrik në Prishtinë, kurse shtetet pjesëmarrëse janë: Turqia, Gjermania, Holanda, Kosova, Greqia dhe Hungaria.




Lexo dhe:

Supported by:
General Sponsor:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters:
Supported by:
General Sponsor:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters: