Prishtina ka mundur Bashkimin 75:71 (16:14, 15:19, 16:25, 28:14), duke e fituar Kupën e Kosovës në konkurrencën e femrave.
Ndeshja filloi e baraspeshuar, ku të dy skuadrat treguan dëshirë të madhe për fitore. Çereku i parë ishte i barabartë dhe këtë e dëshmon edhe rezultati i kësaj pjese 16:14. Por, në periudhën e dytë për një nuancë më të mirë ishin vashat nga Prizreni, që fituan këtë pjesë 15:19, për të shkuar në pushim me rezultat 31:33.
Bashkimi vazhdoi me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, duke pasur epërsi në 14 pikë, 39:53, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 47:57. Prishtinasit nuk u dorëzuan dhe në çerekun e fundit, 6 minuta nga fundi afrojnë shifrat në 58:61. Bardhekaltret vazhduan me lojë të mirë, duke barazuar rezultatin dhe duke pasur epërsi në katër pikë, 69:65. Skuadra nga Prishtina arriti të menaxhojë epërsinë, duke triumfuar në fund me rezultat 75:71.
Te Prishtina u dallua Alexis Tolefree me 37 pikë e pesë kërcime, kurse te Bashkimi u dalluan Aisha Ballarabe me 19 pikë e 22 kërcime dhe Saranda Daci me 14 pikë e 15 kërcime.