Basketbollistët e Kosovës të martën mbrëma kanë filluar përgatitjet për ndeshjet shumë të rëndësishme që do t’i zhvillojnë këtë muaj.
Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë dhe basketbollistët janë të motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të synuar kualifikim në rrethin e ardhshëm.
Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Të martën mbrëma kemi mbajtur stërvitjen e parë, ku atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë. Basketbollistët janë të motivuar dhe sigurisht se do të japin maksimumin në dy takimet që do t’i kemi gjatë muajit shkurt.
Unë besoj fuqishëm në basketbollistët e Kosovës se do t’i qasen ndeshjeve me seriozitetin më të madh e të kualifikohemi në rrethin e ardhshëm, që do të ishte historike për basketbollin e Kosovës.
Angazhimi nuk ka munguar asnjëherë dhe sigurisht se nuk do të mungoj as kësaj radhe. Ndeshja e parë do të jetë ndaj Luksemburgut, ku besoj në fitore, ndërsa më pas do të kemi sfidën vendimtare me Sllovakinë. Kësaj radhe do të jemi pa mangët pa publikun, që gjithmonë kanë dhënë mbështetjen e tyre, por besoj që të gjithë do të përkrahin Kosovën për tu kualifikuar në rrethin e ardhshëm”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.
Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.
Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.
Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.