Vëllaznimi në formë të jashtëzakonshme. Kuqezinjtë kanë shënuar fitoren e gjashtë me radhë, kësaj radhe duke mundur Proton Cable Prizrenin në udhëtim me rezultat 93:97 (23:29, 28:24, 23:26, 19:18).
Çereku i parë ishte i barabartë deri në fund, kur mysafirët që kishin përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i tifozëve me një seri prej 3:9, e fituan këtë pjesë 23:29. Megjithatë, vendasit u rikthyen shpejt dhe barazuan rezultatin, ku periudha e dytë ishte e barabartë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 51:53.
Kuqezinjtë e filluan furishëm periudhën e tretë, duke pasur epërsi deri në 14 pikë, 62:76, por prizrenasit sërish u rikthyen, duke zvogëluar epërsinë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 74:79. Vëllaznimi sërish u shkëput në dhjetë minutat e fundit, në 82:93, por vendasit tentuan rikthimin e madh, duke afruar rezultatin në 91:93, por kuqezinjtë ruajtën epërsinë dhe fituan 93:97.
Më të mirët te prizrenasit ishin Ty Cockfield me 32 pikë, tri kërcime e gjashtë asistime dhe Urim Zenelaj me 15 pikë e 15 kërcime, ndërsa te skuadra nga Gjakova më i miri ishte Sammuel Sessoms me 33 pikë, gjashtë kërcime e dhjetë asistime.
Proton Cable Prizreni ka dy fitore e shtatë humbje, ndërsa Vëllaznimi gjashtë fitore e katër humbje.