Federata e Basketbollit e Kosovës në një ceremoni gala ka organizuar Laureatët e Vitit 2023, ku janë shpallur më të mirët e vitit në basketboll dhe ata që kanë kontribuar për sportin tonë të dashur.
Fillimit janë nderuar veteranët, ku veteran i vitit është shpallur Profesori i nderuar, Masar Nixha, ndërsa veterane, legjenda e basketbollit të femrave, Resmije Juniku.
Punëtori më i dalluar sportiv ishte kryetari i KB Vëllaznimit, Ideal Bakija.
Ndërkohë, gjyqtari i vitit është shpallur Xhelal Mumini.
Çmimi i publikut i dhuruar nga Art Motion me vota nga publiku kanë shkuar te Elektra Zykaj te femrat dhe Drilon Hajrizi te meshkujt.
Ndërkohë, Shpresa e Vitit te meshkujt është zgjedhur Jon Ismajli, kurse te femrat Malvina Haziri.
Trajner i vitit 2023 është shpallur Dritëro Sefaja, përzgjedhës i Kosovës U20 të meshkujve dhe i gjeneratave të reja të Marigona-s.
Klubi më i mirë i vitit te meshkujt është shpallur kampionia e Kosovës, Peja.
Ky çmim me plotë meritë te femrat i ka takuar KBF Bashkimit, që fitoi tre trofetë e mundshëm në basketbollin e Kosovës, titullin, Kupën dhe Superkupën.
Pas saj ishte radha për Top 5 te femrat, ku ishin: Arbnore Përquku e Bashkimit, Astera Tuhina, që luan në SHBA, Aulona Muhadri e Bashkimit, Elektra Zykaj e Prishtinës dhe Vanesa Bojku e Penzës.
Te Top 5 meshkujt ishin: Drilon Hajrizi i Trepçës, Arian Qallaku i Pejës, Art Hajdari i Pejës/Sigal Prishtinës/Proton Cable Prizrenit, Dardan Berisha i Sigal Prishtinës dhe Gëzim Morina i Golden Eagle Yllit.
Basketbollistja më e mirë e vitit është shpallur Arbnore Përquku, që fitoi tre trofetë me Bashkimin.
Basketbollisti më i mirë i vitit 2023 është shpallur Drilon Hajrizi i Trepçës, që fitoi Kupën e Superkupën, garoi me mitrovicasit në FIBA Europe Cup dhe ishte pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës.
Në fund, por jo nga rëndësia kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka zbuluar edhe logon e Superligës së Femrave, si dhe identitetin e ri në basketbollin femëror.
Fetahu është shprehur se, kjo është pjesë e projektit të FBK-së dhe Federata gjithmonë i ka kushtuar rëndësi basketbollit të femrave.