Kosova e nis me fitore, duke mundur Irlandën 83:76 (22:17, 23:21, 20:19, 18:19).
Dardanët e nisën ndeshjen më mirë dhe për një nuancë ishin më të mirë në çerekun e parë, duke e fituar këtë pjesë 22:17. Periudha e dytë ishte më e barabartë, por vendasit ruajtën epërsinë dhe shkuan në pushim me rezultat 45:38.
Ngjashëm ishte perioda e tretë, që ishte e barabartë, duke përfunduar 20:19, derisa shifrat pas 30 minutash ishin 65:57. Por, irlandezët nuk u dorëzuan dhe për tre minuta në çerekun e fundit me një seri prej 0:8, barazuan shifrat në 65:65. Megjithatë, në minutat e fundit, Dardanët u shkëputën dhe triumfuan 83:76.
Te Kosova u dalluan Drilon Hajrizi me 20 pikë e nëntë kërcime dhe Dardan Berisha me 19 pikë e dy kërcime.
Ndeshja e ardhshme e Kosovës do të jetë kundër Azerbajxhanit në udhëtim më 25 shkurt.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Zvicra mundi Azerbajxhanin 72:53.
Raundi i parë parakualifikues i Kupës së Botës të Basketbollit FIBA 2027 do të luhet në tre dritare më 19-27 shkurt 2024, 18-26 nëntor 2024 dhe 17-25 shkurt 2025, nga një ndeshje në shtëpi dhe jashtë.
Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë parakualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s, i cili do të luhet në verën e vitit 2025.