Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Sportit Shkollor në Republikën e Kosovës (FSSHRK) kanë vazhduar me vizita në shkolla, po është duke u zhvilluar Programi i rëndësishëm “Sport në Shkolla”.
Në vizitë kanë qenë Edita Medunjanin, Menaxhere e Projekteve në FBK së bashku me Arbisa Shefkiun, koordinatore e programit nga FSSHRK.
Programin me paraqitjen e tyre kanë përkrahur basketbollistët e Trepçës, Drilon Hajrizi, Valdrin Haxhiu dhe Amin Hot.
Ata kanë qenë në vizitë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët "Fazli Grajçevci" në Mitrovicë.
Fëmijët kanë pasur rastin të takohen me basketbollistët e klubit mitrovicas, të bëjnë pyetje për ta, të marrin nënshkrime dhe të bisedojnë për basketbollin dhe sportin.
Gjatë vizitës kanë shpërndarë bluza për fëmijët e programit.
"Sporti në Shkolla" është hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës.
Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me basketbollin 3x3 dhe Federata e Shahut të Kosovës.