Në mesjavë do të zhvillohet xhiroja e 24-t në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.
Sfida e parë do të jetë ndërmjet Vëllaznimit dhe Bashkimit, që do të jetë shumë e rëndësishme për të dy skuadrat. Kuqezinjtë ndodhen në vendin e fundit me 30 pikë, por nuk janë dorëzuar për të mos rënë nga elita, ndërsa prizrenasit kanë grumbulluar tri pikë më shumë.
Takim interesant pritet edhe ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahovecit në kryeqytet. Bardhekaltrit deri më tani kanë 32 pikë, kurse Vreshtarët renditen në vendin e tretë me 37 pikë.
Golden Eagle Ylli, që ndodhet në vendin e dytë me 38 pikë, do të përballet me Trepçën, që ka 32 pikë. Të dy skuadrat kanë synime të ndryshme në këtë edicion dhe fitorja është e rëndësishme për të dyja palët. Ylli konsiderohet favorit, por mitrovicasit kanë treguar formë të lartë në stinorin pranveror, andaj pritet një ndeshje interesante.
Peja-Ponte Prizreni është përballja e fundit për këtë xhiro. Pejanët nuk janë në formë të mirë në ndeshjet e fundit, kurse e kundërta është për prizrenasit që janë liderë dhe ndodhen në formë shumë të mirë. Verdhezinjtë janë në vendin e katërt me 35 pikë, derisa Ponte në vendin e parë me 39.
FIVE STAR Superliga - Java 24
E mërkurë
16:00 Vëllaznimi - Bashkimi
18:00 Sigal Prishtina - Rahoveci
E enjte
16:00 Golden Eagle Ylli - Trepça
18:00 Peja - Ponte Prizreni