Për herë të parë është organizuar turneu i 3x3 në Mitrovicën Veriore.
Kjo ngjarje u organizua të dielën nga Komuna e Mitrovicës Veriore, basketbollisti i Kosovës dhe Trepçës, Drilon Hajrizi dhe në mbështetje të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Turneu ishte masovik dhe njëri ndër më të mëdhenjtë këtë vit në Kosovë.
Gjithsej morën pjesë 13 ekipe, derisa hapjen e bënë veteranët e Trepçës, që u duartrokitën gjatë gjithë ndeshjes nga të pranishmit, pasi rezultati ishte në plan të dytë.
6 orë të plota kishte spektakël të basketbollit 3x3 dhe muzikë, duke sjellë energji pozitive në Mitrovicë, ku turneu u përcoll nga një numër i madh i tifozëve.
Ky turne i kishte munguar të rinjve që e përcollën nga fillimi deri në afër mesnatës.
Pas shumë ndeshjeve interesante, Bero Kingdom luajti në finale ndaj ekipit 04, ku finalja solli emocione të mëdha, duke arsyetuar epitetin e finales dhe në fund triumfoi Bero Kingdom, duke marrë edhe çmimin prej 2000 Euro nga organizatorët.
Turnetë e 3x3 kanë qenë mjaft të popullarizuara këtë edicion në Kosovë, duke u përkrahur nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që synon masivizimin e këtij sporti në vendin tonë.