“Sport në Shkolla” është hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës. Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me basketbollin 3×3 dhe Federata e Shahut të Kosovës.
Sport në Shkolla ka për qëllim ndërtimin e një shoqërie aktive dhe të shëndetshme. Për të arritur këto qëllime, programi ka një gamë të gjerë të objektivave dhe aktiviteteve.
Objektivat e përgjithshme të programit janë:
- Ndërtimi i një shoqërie të shëndetshme përmes pjesëmarrjes në aktivitet sportiv dhe aktivitet fizik;
- Edukimi i të rinjve përmes aktivitetit fizik dhe sportit lidhur me vlerat dhe aftësitë që e bëjnë një nxënës qytetar të përgjegjshëm dhe aktiv (fair-play, vetëbesimin, durimin, punën në grup, aftësitë për të drejtuar dhe komunikuar, aftësinë për tu adaptuar, etj);
- Zhvillimi i potencialit për të shkëlqyer në sport përmes identifikimit të talenteve sportiv në moshë të hershme.
Objektivat e veçanta të programit “Sport në Shkolla” janë:
- Përfshirja e nxënësve në aktivitete të rregullta sportive – programi përfshinë kurse të sporteve të ndryshme të cilat do të zhvillohen në bashkëpunim me federatat sportive të sportit përkatës.
- Organizimi i garave sportive në shkolla - Organizimi i garave sportive synon të rrisë numrin e pjesëmarrësve në kurset sportive dhe të inkurajojë konkurrencën e shëndetshme ndërmjet nxënësve.
- Trajnimi dhe certifikimi i mësimdhënësve - Trajnerët profesionistë të Federatave Sportive përkatëse do të punojnë drejtpërdrejt me mësimdhënësit nëpër shkolla me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve për zbatimin e programit në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.
- Pajisja e shkollave me pajisje sportive - Për realizimin e sportit në shkolla parashihet pajisja e shkollave me rekuizita sportive adekuate të sporteve përkatëse të përfshira në program.
- Përmirësimi i infrastrukturës sportive në institucionet arsimore - Hapësirat e përshtatshme sportive, si palestrat , poligonet, dhe kabinetet sigurojnë mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e sportit dhe organizimin e garave sportive shkollore.