08/11/2022 FBK

Vendimi i Komisionit Disiplinor- 04.11.2022

Në bazë të Rregullores Disiplinore të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), si dhe në bazë të kërkesës për inicim te procedurës disiplinore nga Komisioni i Garave, Komisioni Disiplinor i FBK-së, me datë 31.10.2022 merr këtë:

 

VENDIM

 

  1. Shpallet e PRANUESHME kërkesa e Komisionit të Garave të FBK-së e datës 25.10.2022.
  2. SHQIPTOHET dënim me të holla ndaj KB Vëllaznimit, me lartësi prej 2000 EURO.
  3. KËRKOHET bashkëpunimi i ngushtë me tifozët e klubit, në mënyrë që të mos përsëriten incidente të tilla.

 

ARSYETIM

 

Me datë 27.10.2022, Komisioni Disiplinor (KD), përmes postës elektronike, nga sekretarja e FBK-së, ka pranuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore të datës 25.10.2022 (Kërkesa), e parashtruar nga Komisioni i Garave të FBK-së, lidhur me incidentin në ndeshjen mes KB Vëllaznimi dhe KV Trepça, xhiroja VII e Prince Caffe Superligës së Kosovës (edicioni 2022/23).

Incidenti në fjalë ka të bëjë me djegien e një flamuri të Serbisë nga ana e publikut në ndeshje, incident i cili paralelisht është nën hetime edhe nga organet e rendit dhe ato të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

 

Në këtë kuadër, KD ka mbajtur takim më 28.10.2022. Në takim kanë qenë prezent anëtarët e KD: Omer daku (Kryetar), Armend Hamiti (Anëtar), Blerim Vuniqi (Anëtar), si dhe në përputhshmëri me nenin 37 të Rregullores Disiplinore, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së dhe Këshilltarja Ligjore për Sport e FBK-së.

 

Komisioni Disiplinor, gjatë trajtimit të incidentit, ka shqyrtuar provat dhe dokumentet në dispozicion, dhe ka konstatuar si në dispozitiv, për arsyet në vijim.

 

  1. Kompetenca e KD për të shqyrtuar rastin

Pas shqyrtimit të incidentit nga Komisioni i Garave të FBK-së, është konstatuar se kundërvajtja shkon përtej dispozitave të nenit 49 të Propozicioneve të Garave, ku saktësohen shkeljet e publikut, kryesisht gjatë dhe pas ndeshjes.

Duke u thirrë në nenin 4 dhe 33 të Rregullores Disiplinore, është kërkuar inicimi i procedurës disiplinore, dhe rrejdhimisht, Komisioni Disiplinor, si organ i shkallës së parë, ka kompetencë të shqyrtojë kërkesën nga Komisioni i Garave të FBK-së.

 

  1. Meritat e Vendimit

 

Në ndeshjen e Xhiros së VII së Prince Caffe Superligës së Kosovës (Edicioni 2022/23) mes KB Vëllaznimi dhe KB Trepça, tifozët kanë djegur flamurin e Serbisë në ndeshjen e luajtur në palestrën ‘Shani Nushi’ në Gjakovë.

Si provë e kryesore dhe e pa kontestueshme në shqyrtimin e incidentit në fjalë, ka shërbyer një video inçizim e cila ka qarkulluar edhe në rrjete sociale dhe media, ku shihet qartë djegia e flamurit të Serbisë nga publiku. KB Vëllaznimi nuk ka dërguar informata apo dokumente/raporte shtesë. Ndërsa, Policia e Kosovës (Drejtoria Rajonale Gjakovë), me datë 02.11.2022, ka konfirmuar se janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, dhe pas procedurave të intervistave të dyshuarve, dhe konsultimit me prokurorin e shtetit do të vazhdohet më tutje me procedurë penale.

Pas pranimit të përgjigjes nga Policia (03.11.2022), KD ka vlerësuar sipas bindjes së lirë në bazë të provave në dispozicion.

 

Neni 49 i Propozicioneve të Garave për Kategoritë Seniore (Edicioni 2022/2023) parasheh shkeljet dhe dënimet për sjellje të shikuesve dhe cenim të fushës së lojës.

Përkatësisht, me pikën 49.8. të Propozicioneve të Garave, ‘shpërfaqja dhe vendosja e pamfletave me ofendime nacionale, fetare dhe racore’ dënohet me të holla, gjegjësisht 2000€ për klubet e Prince Caffe Superligës së Kosovës. Në takimin e KD është vendosur se shpërfaqja e flamurit Serb, veprim i shoqëruar me djegien e tij (‘ofendim nacional’), përbëjnë shkelje në bazë të këtij neni.

 

Bazuar në nenin 25 të Rregullores Disiplinore, si rrethanë lehtësuese është konsideruar mesazhi përmes postës elektronike nga KB Vëllaznimi, në të cilin klubi potencon se as nuk kanë qenë ‘në njohuri për këtë veprim’ e as nuk e kanë ‘përkrahur’ atë. Më tutje, KB Vëllaznimi ka shkruar se: ‘Ne nuk pajtohemi që mbrëmje të veçanta të basketbollit siq ishte ndeshja jonë e fundit të jenë temë për diçka tjetër pos për bukurinë e sportit të basketbollit.’

 

Në përputhshmëri me nenin 18 të Rregullores Disiplinore, KD mund të shqiptojë dënim me të holla ndaj klubeve, me lartësi prej 10€ deri në 5000€.

 

Duke marrë parasysh dispozitat e Propozicioneve të Garave dhe rrethanën lehtësuese, KD ka ardhur në përfundim se klubit KB Vëllaznimi, si rrjedhojë e incidentit në fjalë, i shqiptohet dënimi me të holla, me lartësi prej 2000€ (EURO).

 

Komisioni Disiplinor i FBK-së gjithashtu kërkon nga KB Vëllaznimi që të bashkëpunojë ngushtë me tifozët e saj në mënyrë që të mos përsëriten incidente të tilla në ndeshjet e radhës.

 

KOMISIONI DISIPLINOR :

 

 

Armend Hamiti

Omer Daku

Blerim Vuniqi

Anëtar

Kryetar

Anëtar

_______________________              _______________________          _______________________

 

 

Prishtinë, 31 Tetor 2022

 

 

 

 

 

 

 

 

Vendimi i dërgohet:

  • KB Vëllaznimi
  • Anëtarëve të Komisionit Disiplinor të FBK-së
  • Komisionit të Garave
  • Arkivit të FBK-së



Lexo dhe:

Supported by:
General Sponsor:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters:
Supported by:
General Sponsor:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters: