Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 11.01.2021 në Prishtinë ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin kosovar, rrethanat e krijuara nga pandemia globale dhe gjendjen e anëtarëve të vet, dhe ndër të tjera, ka vendosur si në vijim:
- I ka miratuar në parim Raportin e aktiviteteve të FBK-së të vitit 2020; Planin e Veprimit 2021, Planin Financiar 2021, Planin e Marketingut 2021;
- Ka vendosur që KB Rahoveci të jetë organizator i Final 8 Kupës së Kosovës 2021 në datat 03-07.02.2021;
- I ka miratuar propozimet në parim, konform Statutit të FBK-së, për Këshillin Profesional, Komitetin Ekzekutiv, dhe Komisionet funksionale dhe këshillëdhënëse të FBK-së;
- E ka autorizuar Sekretaren e Përgjithshme për përgatitjen e Rregullores së Komisioneve të FBK-së dhe përditësimin e Rregullores së Përfaqësueseve të Kosovës;
- I ka miratuar propozimet e Sekretares së Përgjithshme, konform Rregullores për Organizim të Brendshëm të FBK-së, për dërgimin e Drejtorit Teknik dhe Zyrtarit për Media të FBK-së në kurse për ngritje profesionale të tyre;
- Ka vendosur që të rrisë fondin e shpërblimeve për Superligën e Femrave: 6,000.00 (gjashtë mijë) Euro për ekipin kampion, 3,000.00 (tre mijë) Euro për ekipin nënkampion dhe nga 1,000.00 (një mijë) Euro për ekipet që e sigurojnë nga një vend në play-off. Në Superligën e Meshkujve e ka konfirmuar fondin e shpërblimeve nga viti i kaluar: 12,000.00 (dymbëdhjetë mijë) Euro do t’i ndahen ekipit kampion, 6,000.00 (gjashtë mijë) Euro për ekipin nënkampion dhe nga 3,000.00 (tre mijë) Euro do të ndahen për ekipet që e sigurojnë nga një vend në katërshen e madhe;
- I ka konfirmuar trajnerët që do të punojnë në projektin zhvillimor të FBK-së dhe FIBA Europe, Youth Development Fund: Valentin Spaqi, Hasan Bytyqi, Kimete Haliti dhe Valbona Bytyqi;
- Ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë ART MOTION dhe PRINCE CAFFE për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes;
- Ka vendosur që të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë KUJTESA për shitjen e të drejtave televizive dhe për sponsorizimin e Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendimet hyjnë në fuqi në ditën e miratimit të tyre.
Në emër të Bordit të FBK-së,
Arben FETAHU
Kryetar
Federata e Basketbollit të Kosovës