19/05/2022 SUPERLIGA E MESHKUJVE

Vendim i Komisionit Arbitrar të FBK-së në ankesën e KB Peja

Bazuar në Rregulloren mbi Punën e Komisionit Arbitrar të Federatës së Basketbollit (FBK), të datës 19.02.2017, Rregulloren Disiplinore të FBK-së të datës 06.09.2008, dhe Propozicionet e Garave të FBK-së të datës 01.07.2021, si dhe në bazë të Ankesës së KB Peja të datës 17.05.2022, Komisioni Arbitrar i FBK-së, me datë 18.05.2022 merr ketë:

V E N D I M

  1. Shpallet e PRANUESHME Ankesa e KB Peja e datës 17.05.2022;
  2. APROVOHET PJESËRISHT Ankesa e KB Peja e datës 17.05.2022;
  3. NDRYSHOHET Pika 10 e Dispozitivit të Vendimit të Komesarit të Garave datës 16.05.2022, duke e zëvendësuar tekstin e kësaj pike me sa vijon:

KB Peja, konform Nenit 49.13 të PG dënohet me 3.000 euro dhe me 2 ndeshje me prezencë të kufizuar të shikueseve prej 25% të kapacitetit të tribunave në palestrën e KB Peja. Në fushë (parket) do të lejohen vetëm 20 persona nga FBK, nga 21 persona në bankat e ekipeve për secilin ekip, dhe nga 10 zyrtarë të ekipeve për secilin ekip, të cilët paraprakisht do të identifikohen nga ekipet përkatëse me emër, mbiemër dhe numër personal. 

  1. MBETET NË FUQI pjesa tjetër e Vendimit të Komesarit të Garave i datës 16.05.2022.

A R S Y E T I M

Me datë 18.05.2022, Komisioni Arbitrar i FBK-së, përmes postës elektronike, nga Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, ka pranuar Ankesën e KB Peja të datës 17.05.2022 (tash e tutje “Ankesa”), e cila ka të bëjë me Vendimin e Komesarit të Garave të datës 16.05.2022 (tash e tutje “Vendimi”), lidhur me incidentin e ndodhur më datë 15.05.2022 në lojën e në mes të KB Peja dhe KB Trepça. 

Në këtë kuadër, Komisioni Arbitrar, ka mbajtur takim më 18.05.2022, dhe ka trajtuar Ankesën e KB Peja, si dhe provat e tjera që janë pjesë e dosjes së lëndës.

Sipas kuptimit të Komisionit Arbitrar, KB Peja në Ankesë sfidon të gjitha pikat e Vendimit që i përkasin këtij klubi, duke potencuar kërkesën për rishqyrtim të Pikës 10 të Vendimit. KB Peja Ankesën e bazon kryesisht në incidentet e ndodhura në lojë të tjera, por veçanërisht në provokimet nga tifozët e KB Trepça.

Komisioni Arbitrar gjatë trajtimit të lëndës ka shqyrtuar të gjitha dokumentet përkatëse dhe provat në dispozicion, dhe ka konstatuar si në dispozitiv, për arsyet në vijim. 

Nga video-incizimi i incidentit, është më se e qartë se përkundër detyrimit që ka pas, KB Peja ka dështuar që të sigurojë mbarëvajtjen e lojës, duke lejuar jo një, por dy tifozë të KB Peja (njëri nga ata zyrtar i angazhuar nga KB Peja) që të hyjnë në fushën e lojës në mënyrë të paautorizuar. Për më tepër, personi i dytë, vepron në mënyrë të papranueshme duke goditur lojtarin e KB Trepça në kokë. Ky fakt, tregon se KB Peja nuk ka përmbushur detyrimet që ka pasur si klub vendas për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në lojën në fjalë. 

Në anën tjetër, Komisioni Arbitrar e ka parasysh se në këtë fazë të garave, nuk është e drejtë që tifozët e mirësjellshëm në tribuna të dënohen për shkak të veprimeve të disa huliganëve dhe dështimit të KB Peja që të përmbushë detyrimet e padiskutueshme që ka pas në këtë lojë, si ekip vendas, për të siguruar një ambient të sigurt dhe të qetë për mbarëvajtjen e lojës. Po ashtu, Komisioni Arbitrar vlerëson edhe faktin që një zyrtar i KB Peja largon njërin nga huliganët nga parketi, por fatkeqësisht kjo nuk mjafton pasi që i dyti vazhdon prezencën në mes të fushës dhe përfundimisht edhe godet lojtarin e KB Trepça.

Komision Arbitrar gjithashtu vlerëson se Komesari i Garave me të drejtë është bazuar në Nenin Nenit 49.13 të PG, edhe pse, duke pas parasysh faktin se sulmi veç ka qenë i kryer, e jo në tentativë, Komesari është treguar i rezervuar duke mos i dhënë KB Peja ndëshkime më të larta, ashtu si do të kishte të drejtë sipas neneve të tjera të PG të FBK-së.

Mirëpo, bazuar në Nenin 10 të Rregullores mbi Punën e Komisionit Arbitrar të FBK-së dhe sipas Neneve 23 dhe 25 të Rregullores Disiplinore, në matjen e dënimit, Komisioni Arbitrar merr parasysh edhe rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.  Në rastin konkret, ndërhyrja e zyrtarit të KB Peja për të larguar huliganin e parë që hyri në parket/fushë, vlerësohet si rrethanë lehtësuese.  Edhe fakti se tifozët e mirës-sjellur nuk duhet ndëshkuar për veprimet e huliganëve dhe dështimet e KB Peja për të siguruar ambient të sigurt për lojën në fjalë, po ashtu vlerësohet si rrethanë lehtësuese.  Në anën tjetër, komunikimet elektronike me bullizëm eklatant që zyrtari i KB Peja i ka drejtuar Komesarit të Garave vlerësohen nga Komisioni Arbitrar si të papranueshme, dhe janë rrethanë rënduese që kanë dëmtuar shumë interesat e KB Peja gjatë shqyrtimit të Ankesës në fjalë.  

Prandaj, bazuar në këto rrethana lehtësuese por edhe rënduese, Komisioni Arbitrar vlerëson se KB Peja meriton dënimin sipas Pikës 10 të Vendimit, por ashtu të ndryshuar, që konform Nenit 49.13 të PG, KB Peja të dënohet me 3.000 euro dhe me 2 ndeshje me prezencë të kufizuar të shikuesve prej 25% të kapacitetit të tribunave në palestrën e KB Peja.  Në fushë (parket) do të lejohen vetëm 20 persona nga FBK, nga 21 persona në bankat e ekipeve për secilin ekip, dhe nga 10 zyrtarë të ekipeve për secilin ekip, të cilët paraprakisht do të identifikohen nga ekipet përkatëse me emër, mbiemër dhe numër personal. 

Dënimi i lartcekur, përfshi edhe ato të tjerat të listuara në Vendim, në mendim të Komisionit Arbitrar, përçojnë qartë tek KB Peja, por edhe tek ekipet e tjera, se sigurimi i ambientit të qetë dhe të sigurt nga ekipet vendase është jetik për zhvillimin normal të ndeshjeve, dhe dështimi për të bërë një gjë të tillë ka pasoja të rrepta.  Në të njëjtën kohë, lejon që KB Peja të ketë mundësinë që t’ua mundësojë tifozëve të mirësjellshëm që të jenë prezent dhe të shijojnë ndeshjet në këtë fazë të garave.

Dështimi i KB Peja që të zbatojë në plotni këtë vendim në ndeshjet e radhës do të konsiderohet si shkelje flagrante dhe do të ketë pasoja edhe më të ashpra. 

Sa i përket pretendimeve të KB Peja me pikat e tjera të Vendimit, Komisioni Arbitrar i vlerëson ato si të pabazuara.  Prandaj, Komisioni Arbitrar edhe len në fuqi pikat e tjera të Vendimit që i përkasin KB Peja. 

Rrjedhimisht, Komisioni Arbitrar duke u mbështetur në atë që u tha më lartë, vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Komisioni Arbitrar:

Korab Sejdiu, kryetar

Fidan Hamiti dhe Lulzim Fushtica, anëtarë




Lexo dhe:

Supported by:
Official General Sponsor of the Kosovo National Teams:
Official General Sponsor of the Men's Superliga:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters:
Supported by:
Official General Sponsor of the Kosovo National Teams:
Official General Sponsor of the Men's Superliga:
Golden Sponsors:
Silver Sponsors:
Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation:
Youth Basketball supporters: